Kurti, takim me diplomatët norvegjezë

PRISHTINE, 9 tetor /ATSH/ -Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti është takuar sot me përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor Arne Sannes Bjørnstad nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë – Departamenti i Europës Juglindore dhe Jens Erik Grøndahl, ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë.

Arne Sannes Bjørnstad e uroi Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor nga Norvegjia shprehi interesim për zhvillimet politike në Kosovë dhe për dialogun Kosovë – Serbi.

“Kryetari Kurti e njoftoi se prioritet e ka forcimin e shtetit në të gjitha fushat, në drejtësi, në ekonomi e në atë sociale”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, Kurti tha se duhet të nxjerrin mësimet nga e kaluara në mënyrë që dialogu të jetë i përgatitur mirë, me parime të qarta, dhe kësisoj të jetë solid./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.