Evazioni fiskal, Rama: Shkelësit u çuan para ligjit, por u liruan nga grupi “KÇK”

TIRANË, 9 Tetor /ATSH-/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se jo shumë kohë më parë janë çuar në Prokurori një masë e madhe shkelësish, por janë liruar.

Duke replikuar në Kuvend me deputetin e opozitës, Myslym Murrizi, Rama tha se, “Jo shumë larg, por shumë pak kohë më parë janë çuar në Prokurori një masë e madhe shkelësish. Jo biznese të vogla, por përfitues dhe abuzues të mëdhenj. Me fakte. Me miliona, e miliona, e miliona euro të grabitura duke shmangur tvsh. Ku janë. Janë aty ku ishin para se të kontrolloheshin. Sepse “kçk” (kap çfarë të kapësh) iu mori kafen dhe i lëshoi”.

“Është kollaj të thuash që “kçk” është këtu dhe atje. Por nuk jemi të gjithë njësoj. Kjo është përpjekje e atyre që thonë unë i zi jam dhe po i nxij të gjithë që mos dukem unë”, tha Rama.

“Ndryshimi mes meje dhe teje meqë më the që në raport me ty unë isha shumë më i ngarkuar është se të dy jemi të revoltuar, por ti nuk ke adresë për revoltën. Ose më keq akoma e ke adresën e gabuar”, iu drejtua Rama deputetit Murrizi.

“I the Ministres së Financave, a ke fuqi ti dhe administrata jote të kontrollojë disa që s’po t’i jap me emra. Po të them që ajo dhe administrata i ka kontrolluar të gjithë. Unë s’po t’i jap me emra sepse është një nga turpet me të mëdha të politikës tonë që përgojon njerëz pa hesap. Nuk bën vaki në asnjë vend, në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mali i Zi, Bosnjes se në Francë e Gjermani jo e jo, që njerëz të zgjedhur shfrytëzojnë foltoren dhe të hedhin çfarë u vjen përgoje, në fytyrën e atyre që merren me biznes. Ama po të them që nuk ka në këtë vend asnjë kompani që nuk kontrollohet dhe nuk ka në këtë qeveri asnjë ngurrim për të marrë më të madhin nëse gjendet në shkelje dhe për ta çuar para ligjit”, tha Rama.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.