Balluku me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Energjisë, projekte konkrete

TIRANE, 9 Tetor/ATSH/- Në Ministerialin e mbajtur në Lituani, ministrja e Infrastruktures dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një takim të veçantë me nënsekretarët e Departamentit Amerikan të Energjisë, Steven Winberg dhe Theodore Garrish.

Gjatë takimit, bëhet e ditur se është diskutuar për projekte konkrete në funksion të zhvillimit të sektorit energjetik dhe diversifikimit të burimeve të energjisë që prodhon vendi ynë.

“Vëmendja, asistenca dhe mbështetja e SHBA në fushën energjetike është thelbësore për zhvillimin dinamik të këtij sektori për Shqipërinë”, theksoi ministrja Balluku.

Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Ministerialin e Partneritetit për Bashkëpunimin Transatlantik në Energji që u mbajt në Vilnius.

Ministrja Balluku gjatë fjalës së saj në këtë ministerial nënvizoi se “Shqipëria është i vetmi vend i cili prodhon 100% të energjisë nga burimet e rinovueshme. Fokusi dhe puna jonë e përditshme mbetet krijimi i burimeve alternative, për të mbuluar nevojat e konsumatorëve pa ndihmën e importit e duke krijuar kështu qëndrueshmëri dhe pavarësi energjetike për Shqipërinë”.

Në ministerialin e mbajtur në Letoni, temat kryesore të diskutuara ishin diversifikimi i burimeve energjetike si dhe rritjes së bashkëpunimit. Ky takim i ministrave për sigurinë energjetike u zhvillua nën kujdesin e Sekretarit të Shtetit Amerikan Rick Perry.

/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.