Projektligji për pajisjet mjekësore diskutohet me grupet e interesit

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Projektligji i ri i cili për herë të parë regjistron pajisjet mjekësore përpara hyrjes së tyre në treg, me qëllim rritjen e sigurisë për pacientët u diskutua sot në komisionin e Shëndetësisë.

Në drejtimin e kryetarit, Enver Roshi, komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore, me grupet e interesit për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.89/2014, “Për pajisjet mjekësore”.

Mira Rakacolli, zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe drejtorë të tjerë, të kësaj ministrie ishin të pranishme në seancën dëgjimore të së martës.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e grupeve të interesit shprehën qëndrimet dhe bënë propozimet e tyre, në lidhje me ndryshimet e propozuara, në prani të anëtarëve të komisionit.

Më pas, anëtarët e komisionit vlerësuan se, amendimet e propozuara kanë një kosto financiare dhe për këtë më parë duhet marrë miratimi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Këshilli i Ministrave. Gjithashtu komisioni kërkoi t’i propozohet Konferencës së Kryetarëve, shtyrja e afatit të miratimit nen për nen të projektligjit në fjalë. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.