Ecuria e inflacionit reflekton rritjen e konsumit në tregun vendas

TIRANË, 8 tetor /ATSH/- Ecuria e inflacionit po reflekton rritjen e konsumit në tregun vendas, ndërsa trendi i rritjes së përgjithshme të nivelit të çmimeve, synon objektivin e  Bankës së Shqipërisë 3%.

INSTAT, njoftoi sot se indeksi i çmimeve të konsumit ose inflacioni u rrit me 1,3% në muajin shtator 2019. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,93%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,15%.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me rritje 0,09% ndërsa çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me 0,05%.

Sipas INSTAT, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” u rritën me 0,03%, “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me rritje 0,02%.  pikë përqindje.

Krahasuar me muajin Shtator 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,5 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,5 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,2 %, “Shërbimi arsimor” me 0,9 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,7 %, “Argëtim e kulturë” me 0,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,2 %, etj.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,6 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 6,7 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 5,0 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,1 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 1,6 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 0,4 %, njofton INSTAT. e.xh/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.