Basha pret ministrin Schallenberg: Do japim kontributin tonë për të tejkaluar krizën politike

TIRANË, 8 tetor /ATSH – I. Vata/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua sot me ministrin Federal për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg

Pas takimit, Basha në një prononcim për mediet tha se falënderoi ministrin Schallenberg për mbështetjen e jashtëzakonshme austriake dhe në mënyrë të veçantë në procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE.

“Ndamë bashkë shqetësimin e shumë faktorëve evropian me mosbesimin që kanë krijuar qeveria shqiptare duke mos plotësuar prioritete kryesore të hapjes së negociatave. E sigurova se PD dhe opozita e bashkuar janë të vendosura të japim kontributin tonë për të tejkaluar këtë krizë të rëndë politike dhe problemet kryesore të shkaktuar nga kriza politike dhe  qeverisja që janë pengesa kryesore për hapjen e negociatave. Rruga që ka zgjedhur Edi Rama është rruga absolutisht e gabuar në këto javë që kanë mbetur për marrjen e një  vendimi të rëndësishme për vendin tonë. Është rruga e  njohur e fajësimit të çdokujt, tjetër e sulmeve ndaj BE, e qeverive europiane, e sulmeve ndaj opozitës, medias për të hequr vëmendjen dhe përgjegjësinë”, tha ai.

Basha tha se opozita e bashkuar është në krye të detyrës.

“Propozimi për daljen nga kriza dhe veçanërisht propozimi për Reformën Zgjedhore vazhdon të mbetet në tryezë. Me të njëjtën përgjegjësi që u kam deklaruar shqiptarëve me të njëjtën përgjegjësi i konfirmova sot ministri të Jashtëm austriak se mund të mbështetet plotësisht të PD dhe opozita e bashkuar. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që Shqipëria të mos mbetet peng i korrupsionit, i lidhjes së politikës me krimin, i kapjes së shtetit dhe asgjësimit të pushteteve të pavarura, qofshin këto, drejtësia apo media e pavarur”, theksoi ai.

Më tej Basha shtoi se “Synimi ynë kryesor është që nëpërmjet zgjidhjes politike t’i ofrojmë shqiptarëve atë që meritojnë, të dalim nga marshi indietro ku e ka futur ekonominë dhe politikën kjo qeveri dhe të ecim për para me vendosmëri, vizion dhe qartësi të plotë për të  kryer detyrat tona të shtëpisë duke luftuar korrupsionin, duke shkatërrua lidhjet e krimit me politike, duke i nxjerrë parat e politikanëve të korruptuar nga xhepat e oligarkëve dhe duke i kthyer në xhepat e shqiptarëve”.

Në lidhje me politikën e jashtme të BE-së në raport me Kosovën, Basha tha se Kosova është një shtet i pavarur i njohur nga shumica e anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe nga shumica  dërmuese e anëtarëve të BE-së dhe NATO.

“Me mbështetjen e këtyre vendeve Kosova ka arritje të jashtëzakonshme në konsolidimin e praktikave demokratike, siç treguan dhe zgjedhjet e ditës së dielë, që në fakt janë një shembull për gjithë rajonin, por në veçanti një shembull për Shqipërinë, sepse kemi të bëjmë me një shtet që ka institucione mjaftueshëm të konsoliduara për të garantuar demokracinë funksionale, zgjedhje të lira dhe të ndershme, respekt të drejtave të  minoritetit serb, madje u përshëndet dhe nga presidenti serb, Aleksandër Vucic”, – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.