Stop Informalitetit/ 587 subjekte me shkelje, Tatimet apel për respektimin e ligjit

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Plani operacional “Stop informalitetit” vijon zbatimin e tij nga strukturat e administratës tatimore dhe vetëm gjatë muajit shtator, strukturat e monitorimit në terren kanë kryer 1905 kontrolle, nga të cilat janë konstatuar 574 shkelje të legjislacionit tatimor.

Gjatë një inspektimi, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha se plani operacional do të vijojë me strukturat e Monitorimit në Terren, si edhe kontrollin nga zyra për të vlerësuar ndryshimet në vetëdeklarime.

Sipas të dhënave të raportuara nga administrata tatimore, 110 tatimpagues janë penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë).

Ibrahimaj tha se për gjithë periudhën 4 korrik – 30 shtator janë 587 tatimpagues të penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), nga të cilët 336 janë subjekte nga sektori i bar-restoranteve. Zona bregdetare, sipas saj, “shënon edhe numrin më të lartë të rasteve të konstatuara me shkelje”.

Më konkretisht Durrësi 77 subjekte; Vlora 46 subjekte; Saranda 40 subjekte dhe Tirana me 44 raste.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve tha se vetëdeklarimi korrekt dhe përmbushja e  detyrimeve ligjore nuk duhet të burojë nga presioni, por ndërgjegjësimi se kjo është rruga e vetme.

Ajo ju bëri thirrje të gjitha subjekteve të respektojnë dhe të përmbushin vullnetarisht detyrimet që lindin nga legjislacioni në fuqi. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.