Platforma “School Me”, shembull i përdorimit teknologjive të reja në procesin e të nxënit


TIRANË, 7 tetor/ATSH/ “Njerëz të padukshëm” solli sot në vëmendje platformën “School Me”, shembull i përdorimit efikas të teknologjive të reja në procesin e të nxënit.

Iris Gjinovci, nismëtarja e kësaj platforme tregoi rreth krijimit të kësaj platforme.

“Rreth 20 vjet më parë, kur isha nënë e re u ndesha më atë që të gjithë prindërit sot përballen. Kur kthehesh në darkë në shtëpi dhe fëmija të kërkon ndihmë për programin e bërë në shkollë. Në atë kohë ishte një ëndërr të kishe dijen që mësohet në shkollë të disponueshme dhe në shtëpi”, tha ajo.

Vitet kaluan dhe 20 vjet më vonë, u krijua kompania që grumbulloi rreth vetes rreth 100 profesionistë me të cilët filloi puna për kurrikulat autovizuale.

“Në kurrikulat e para që ne zgjodhëm ishte kurrikula e Shqipërisë dhe Kosovës. Zhvillimi i teknologjisë, ideja se tani teknologjia është në duart e gjithsecilit e bënte të mundur që kjo platformë të jetësohet dhe të përdoret çdo ditë nga gjithsecili”, tha Gjinovci.

Me një klik në platformë secili nga 300 mijë nxënësit e Shqipërisë dhe 250 mijë nxënësit e Kosovës munden të kenë qasje në dijen shkollore.

“Ka disa plane që kjo platformë të përdoret edhe nga shkollat e arsimit shqip në diasporë. Konkretizimi i kësaj nisme erdhi si nevojë, si jetësim i eksperiencës time si nënë. Mësuesi duhet të ndihmohet në të gjitha mënyrat e mundshme. Sot kompania jonë vazhdon me prodhimin e kurrikulave të tjera europiane me cilësi dhe standard që e bëjnë një nga kompanitë më të mira në botë në këtë fushë”, tha Gjinovci, duke shtuar se “po fillon një histori e re për arsimin”.

Çfarë është platforma “School Me”?

Platforma informon, frymëzon dhe e ndihmon nxënësin kur mëson, në shkollë apo në mjedise jashtë saj. Si burim të nxëni i dobishëm, “School Me” mbron vlerat themelore të pranuara, është e besueshme, transparente, nuk diskriminon, nxit nxëniet bazuar në të dhëna të sigurta, të besueshme dhe të vlefshme.

“School Me” është e dobishme për zhvillimin kulturor dhe gjuhësor të fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha trevat shqipfolëse dhe në diasporë, veçanërisht për ndërtimin dhe ushtrimin nga nxënësit të kompetencave kyçe dhe specifike. “School Me” zëvendëson përdorimin e “lapsit dhe të letrës” me “tastierën dhe ekranin”; lehtëson ndërveprimin aktiv të nxënësve nëpërmjet situatave të posaçme (kuiceve, ushtrimeve, situatave problemore etj.) dhe rrit ndjeshëm sasinë e dijeve të përpunuara në njësinë e kohës. Platforma zgjeron konceptin tradicional për librin e shtypur si burimin kryesor të nxënies, duke e plotësuar atë me burime të tjera, në dobi të cilësisë së nxënies.

“School Me” shoqëron online mësimin e zhvilluar në klasë (apo mjedise të tjera) me filma, harta, laboratorë, imazhe. Teknologjia 3D, siç thuhet tani, bëhet horizonti i ri për nxënësin. Asnjë shkollë në botë nuk mund të krenohet, të themi, se mund të demonstrojë në laboratorët e saj ndërtimin e atomit, ose të ketë në klasë hartat e një kryengritje të vitit 1537, për të materializuar periudhën dhe çështjet e kohës.

“School Me” e ofron këtë mundësi. “School Me” mundëson qasje audio dhe video, në të gjithë aspektet kurrikulare. Për çdo klasë, përmbajtjet lëndore respektive dhe renditja e temave, përputhen me kurrikulën zyrtare, në sinkron me kalendarin shkollor. Lëndët e arsimit 9-vjeçar shpjegohen në shqip nga mësues të regjistruar dhe shoqërohen me video shkencore, filma, imazhe, dokumente, harta specifike. Kjo shtjellon, thellon dhe përditëson temat mësimore.

“School Me” ofron mijëra video, të zhvilluara nga institucione arsimore e shkencore ndërkombëtare, për të thelluar dhe përfshirë sistematikisht në kurrikul dijet e reja dhe metodat bashkëkohore të nxënies. Funksionalitete të platformës janë edhe pyetësorët, mbajtja e shënimeve vetjake, krijimi i teksteve nga çdo përdorues dhe përgatitja e ditarëve nga mësuesit. Këta të fundit, mund të lidhen në forum, për të komunikuar dhe krijuar portofola të ndryshme.

Mjafton një lidhje interneti dhe platforma bëhet e disponueshme në të gjitha pajisjet IT: kompjuter, laptop, tabletë, telefon celular, televizor (nëpërmjet kabllos USB ose direkt për TV internet).

PËR ÇFARË NDIHMON “SCHOOL ME”?

Ndihmon të mësosh vetë, duke ndërvepruar me gjithë sa ofron kurrikuli shkollor.
Rrit mundësinë për të njohur, përmes lidhjeve dhe ndërveprimit me mësuesit dhe shokët.
Shfrytëzohet informacion digjital i bollshëm vetëm me një klik.

Përdoret çka është mësuar. Zhvillohet kapaciteti për të nxënë, përmes përdorimit dhe transformimit të njohurive që krijohen.

Shprehen mendime dhe zgjedhje vetjake, përmes bashkëpunimit dhe punës në grup.
Ofrohen mundësi për të nxënë në mënyrë jo tradicionale; përmes platformës mund të mësohen gjëra që metodat ekzistuese nuk i mundësojnë.

Ofron kënaqësi dhe rrit dëshirën për të pasur sukses nga larmia e mjeteve audiovizive.
Tërhiqet dhe mbahet më gjatë vëmendja dhe potenciali për kërkim i nxënësit.

Rritet autonomia për veprimtari dhe nxiten stile të nxëni sipas dallimeve vetjake.
Zhvillohet kapaciteti i nxënësit për të vetëvlerësuar çka mëson. Ndihmohet zhvillimi pedagogjik i prindërve./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.