Letonia, mbështetje konsekuente për procesin e integrimit europian të Shqipërisë

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Letonia jep mbështetjen konsekuente për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot ambasadoren e re të Letonisë në Shqipëri, rezidente në Itali, Solvita Āboltiņa, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale

Meta u shpreh se, Shqipëria dhe Letonia, si aleate në NATO, ndajnë vizione të përbashkëta për sfidat e sigurisë europiane.

Ai e garantoi ambasadoren për vijimin e kontributit të Shqipërisë në kuadër të forcave të NATO-s në Letoni.

“Pata kënaqësi të prisja sot Ambasadoren e re të Letonisë në Shqipëri, rezidente në Itali, Solvita Āboltiņa, një personalitet mjaft i spikatur politik e diplomatik, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. E urova në detyrën e re dhe e sigurova për bashkëpunim të ngushtë në arritjen e objektivit të përbashkët për forcimin e mëtejshëm e në të gjitha fushat të marrëdhënieve dypalëshe. Shqipëria dhe Letonia, si aleate në NATO, ndajnë vizione të përbashkëta për sfidat e sigurisë europiane. Garantova për vijimin e kontributit të Shqipërisë në kuadër të forcave të NATO-s në Letoni”, u shpreh Meta.

Gjithashtu, theksoi ai, “falenderova autoritetet letoneze për mbështetjen konsekuente për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mirënjohës Letonisë për ndihmat humanitare për lehtësimin e pasojave të tërmetit dhe përmbytjeve në vend”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.