
TEHERAN, 7 tetor /ATSH-AFP/ – Një gazetare ruse, e arrestuar javën e kaluar në Teheran, u burgos për shkelje të vizës, theksoi sot zëdhënësi i qeverisë iraniane.
“Julia Juzik, 38 vjeçe, u arrestua në një hotel të kryeqytetit iranian të enjten e kaluar”, sipas medias ruse, që citon ish-bashkëshortin, Boris Voitsekhovski.
Një zëdhënës i ambasadës ruse në Teheran kishte konfirmuar më pas se ajo ishte akuzuar se punonte për shërbimet sekrete izraelite.
Por, zëdhënësi iranian, Ali Rabiei i hodhi poshtë këto akuza duke nënvizuar se çështja nuk kishte lidhje me kundërspiunazhin, në një konferencë shtypi të transmetuar nga televizioni shtetëror.
“Çështja lidhet me krime që kanë të bëjnë me vizat, të kryera nga kjo grua”, theksoi ai pa dhënë detaje të tjera./ /ec/ a.jor.