Foto/ Investimet në infrastrukturë, lehtësohet qarkullimi për 140 familje të tre fshatrave në Pogradec

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Bashkia e Pogradecit prej disa ditësh ka nisur ndërhyrjen për rehabilitimin e segmentit rrugor Selcë e Sipërme-Pleshisht-Hoshteçë, një investim që u vjen në ndihmë rreth 140 familjeve të 3 fshatrave.

Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli foli mbi impaktin që ka kjo ndërhyrje në lehtësimin e qarkullimit të banorëve të këtyre 3 fshatrave dhe lidhjen e tyre njësinë administrative dhe qytetin e Pogradecit.

“Bëhet fjalë për segmentin Pleshisht-Hoshteçë, një aks rrugor që lidh dy fshatra me njësinë e Trebinjës. Aksi, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes kishte degraduar mjaft dhe kalimi i automjeteve ishte i pamundur për shkak të gropave të mëdha dhe baltës që krijohej”, tha ai.

Xhakolli theskoi se “bashkia me eskavatorin e saj parashikoi këtë ndërhyrje, e cila do të shtrihet në të gjithë gjatësinë e këtij aksi dytësor duke sheshuar gropat, duke bërë hapjen e kanalit anësor dhe më pas hedhjen e stabilizantit”.

Kjo, sipas tij, do të mundësojë akses më të lehtë të banorëve të zonës në drejtim të Trebinjës apo Pogradecit.

Xhakolli tha se “ndërhyrja bëhet në prag të dimrit në mënyrë që të minimizohen sa më shumë problematikat e stinës”.

“Njëkohësisht ndërhyrje të tilla janë duke u kryer edhe në Trebinjë, Proptisht e Çerravë, në pastrim kanalesh apo rehabilitim të akseve rrugore. Kjo është ajo çfarë mund të bëjë bashkia me buxhetin e mbetur të këtij viti, ndërsa me buxhetin e ri që do të miratohet në dhjetor do të parashikohen edhe shumë investime sipas shkallës së emergjencës”, theksoi Xhakolli.

Sipas tij, “bashkia është duke hartuar edhe projektet për disa akse kryesore në Mokër, duke kërkuar mbështetjen edhe të qeverisë”.

“Bëhet fjalë për akset Dardhas-Osnat-Stërkanjë-Niçë, aksi rrugor i Bishnicës dhe aksi Trebinjë-Shën Marenë. Investimet synojnë rikonstruksion dhe asfaltim të këtyre akseve, por që duhet financim nga qeveria pasi bashkia me buxhetin e saj pushteti vendor nuk mund të arrijë realizimin e tyre”, tha Xhakolli për ATSH-në.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.