Dritan Bukaqeja nga Shkodra merr zgjidhje brenda 10 ditësh për mbifaturimin e energjisë

TIRANË, 7 tetor/ATSH/- Qytetari Dritan Bukaqeja, nga Shkodra iu zbrit mbifaturimi në faturën e energjisë elektrike, pas iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Bukaqeja u ankua për mbifaturim të energjisë elektrike të muajit janar 2018.

Departamenti i Marrëdhënieve me Klientin pranë OSHEE pas verifikimeve bëri të mundur sistemimin e faturës përkatëse duke zbritur nga konsumi 1093 kwH në vlerën 18462.40 lekë.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes në Kryeministri, Bukaqeja tha se “po faturohesha me matësin e ri dhe të vjetrin. Nuk gjeta zgjidhje pas ankesës pranë OSHEE dhe vendosa ta paraqes si rast tek platforma. Thashë ta provoj, edhe pse s’kisha shumë besim dhe nuk e dija sa funksionon si platformë”.

“E pashë që funksionoi dhe u bëj thirrje atyre qe kanë raste të tilla ose të ngjashme ta provojnë se ndoshta zgjidhja është aty”, tha Bukaqeja.

Kryeministri Edi Rama theksoi se “në rast se drejta është aty edhe zgjidhja është aty, nuk diskutohet. Më vjen mirë që ju e thatë në mënyrë të drejtpërdrejtë që nuk kishit besim në fillim, por nuk kushton asgjë janë 2- 3 minuta punë për të provuar vërtetësinë e gjithë përpjekjeve dhe njëkohësisht për të verifikuar vërtetësinë e fjalëve që themi çdo javë përmes këtij takimi të përjavshëm. Ama një gjë është e sigurt pas aplikimi vihen në lëvizje koordinatorët e bashkëqeverisjes, titullari përkatës apo ministri përkatës dhe kujt i takon e drejta merr të drejtën”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.