Bashkëqeverisja/ Gjobitet pa të drejtë nga inspektimi tatimor, Ylli Nushit i shfuqizohet gjoba prej 200 mijë lekësh

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Ylli Nushi nga Korça, kontabël i miratuar, vendosi t’i drejtohej bashkëqeverisjes, pasi ishte gjobitur pa të drejtë nga inspektimi tatimor si punonjës i padeklaruar i një subjekti privat.

Rasti i tij, i cili gjeti zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes, u prezantua sot në takimin e përjavshëm të Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes.

Qytetari tha se i kishte shpjeguar inspektorëve se ai ushtron një profesion të lirë dhe me subjektin në fjalë ka lidhur një aktmarrëveshje dypalëshe, prandaj nuk mund të klasifikohet si punonjës i padeklaruar.

Nushi vendosi t’i drejtohej bashkëqeverisjes, pasi iu faturua një gjobë e padrejtë. Pas verifikimit, DPT konfirmoi se shqetësimi i tij qëndron dhe subjektit iu dha mundësia e ankimimit të gjobës pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor, i cili vendosi shfuqizimin e gjobës prej 200 mijë lekësh.

Ndërkohë Drejtoria e Investigimit Antikorrupsion propozoi fillimin e ecurisë disiplinore për 3 inspektorët që kanë kryer inspektimin.

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi platformën e bashkëqeverisjes si instrument në shërbim të qytetarëve. “Platforma shërben për zgjidhjen e çdo problemi që ata kanë me administratën duke adresuar çdo ngërç apo pengesë në funksion të së drejtës së çdo qytetari për të marrë shërbimin e merituar”, – tha ai.

Rama u shpreh se në çdo takim të bashkëqeverisjes ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që pasi zgjidhin problemin, vijnë për të na ndihmuar të përcjellim mesazhin te njerëzit.

“Rëndësia e drejtimit në platformë është e dyfishtë, pasi në rastin konkret, qytetari ka marrë të drejtën e vetë, por na ka ndihmuar të adresojmë shkeljen edhe në funksion të disiplinës profesionale dhe etikës së përfaqësuesve të shtetit”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “të tre inspektorët janë në procesin e hetimit administrativ dhe në bazë të konkluzionit të hetimit, ndaj tyre do të merren masa nga ndjekje penale, lirim nga detyra ose paralajmërim për lirim nga detyra”.

Këto, tha ai, përcaktohen sipas gjetjeve të hetimit administrativ dhe ndihmojnë për të çuar mesazhin te të gjithë punonjësit e shtetit se qytetarët janë të barabartë para ligjit edhe në realitetin e përditshëm dhe administratat duhet ta njohë dhe mbrojë barazinë e tyre para ligjit”. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.