Agrobiznesi shqiptar për të tretën herë në panairin e Ushqimit Organik në Gjermani

TIRANE, 7 tetor /ATSH/- Agrobiznesi shqiptar do të marrë pjesë për të tretin vit radhazi në panairit më të madh në botë për produktet bio, ‘Biofach’, i cili mbahet çdo vit në Gjermani, ku bizneset shqiptare janë përgëzuar për cilësinë e produkteve si dhe kanë arritur që të rrisin eksportet e tyre në vende si Gjermania, Zvicra, Franca, Italia, SHBA, Kanada etj.

Edicioni i këtij viti “Biofach”, Panairi i Ushqimit Organik, zhvillohet nga data 12 deri 15 Shkurt 2020, në Nuremberg, Gjermani.

Bizneset shqiptare pritet të bëhen pjesë e panairit kryesor të Tregtisë Botërore për Ushqimin Organik , i kombinuar me panairin “VIVANESS”, i cili është Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë për Kujdesin Personal Natyror dhe Organik.

Biofach, zhvillohet për të 30-ën herë radhazi dhe mund të shihet përsëri si një histori suksesi e jashtëzakonshme. Ky event me një pjesëmarrje të lartë, do të jetë një ngjarje e rëndësishme biznesi, i cili do të krijojë mundësi për bashkëpunime dhe shtrirje në tregjet e huaja.

Në këtë event takohen të gjithë klientët, furnitorët dhe partnerët e rinj të mundshëm. Biofach është një mundësi e artë, pasi këtu furnizimi plotëson kërkesën, si për vizitorët ashtu edhe për kompanitë ekspozuese. Prodhuesit do të ekspozojnë dhe prezantojnë produktet e tyre për të gjithë komunitetin,si edhe do të vëzhgojnë e analizojnë tregun.

Biofach ofron informacione të gjera në lidhje me sektorin organik, së bashku me panairin VIVANESS, i cili ofron njohuri për zhvillimet aktuale në sektorin e kozmetikës natyrore.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.