Kosovë/Deri në orën 15:00, 60 mijë më shumë votues se në zgjedhjet e fundit

PRISHTINE, 6 tetor/ATSH/- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 15:00, kanë votuar 29.28 përqind nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues me të drejtë vote.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se procesi i votimit deri tani ka shkuar mirë me disa parregullsi, për të cilat tha se me këto merren organet përgjegjëse siç janë Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.

Daka gjithashtu ka bërë edhe krahasimin e numrit të votuesve me zgjedhjet e vitit 2017.

“Proces i votimit është duke vazhduar pa ndonjë problem që do të dëmtonte këtë proces zgjedhor. Po ashtu duke u mbështetur në të dhënat që janë dërguar nga 2491 vendvotime apo rreth 98 përqind të tyre, numri i qytetarëve më të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 554 mijë e 750 votues apo 29.28 përqind nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues me të drejtë vote. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e  Kosovës në vitin 2017 kishin votuar 497 mijë e 120 votues apo 27.75 përqinde votuesve”, tha Daka.

Daka u përgjigj edhe për votat e diasporës për të cilat tha se presin nga ekipet e tyre që të u japin shifrat e sakta të votuesve.

Daka ka takuar sot edhe ambasadorin amerikan, në të cilin tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadori kanë treguar përkrahjen e tyre për procesin zgjedhor në Kosovë.

Konferenca e radhës e KQZ-së mbahet në 19:30./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.