Kandidatja për kryeministre: Qytetarët të bëhen pjesë e këtij vendimi historik për Kosovën

PRISHTINE, 6 tetor/ATSH/- Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre Vjosa Osmani, pasi që ka votuar u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.

Ajo tha se nëpërmjet  një procesi fer, të lirë dhe demokratik Kosova do të ketë arsye për të festuar.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, me rastin e votimit në Fakultetin Teknik, i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin në zgjedhje, ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të bëhen pjesë e vendimit historik.

“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik, sepse kjo me të vërtetë është një ditë historike dhe vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Besoj shumë që nëpërmes një procesi fer, të lirë dhe demokratik, Kosova sot do të ketë arsye për të festuar. Prandaj edhe shpresoj që gjithçka të ecën mbarë që qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë nëpërmjet të cilës e përcaktojnë fatin e tyre, por edhe të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe që gjithçka të shkojë pa asnjë presion dhe qytetarët të kenë mundësi që ta shprehin vullnetin e tyre të lirë”, tha ajo.

Osmani beson se Kosova do të ketë arsye për të festuar, ndërsa për koalicionet ajo tha se do të flasin pas rezultateve./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.