Shërbime bankare/ 85% e qytetarëve kontaktojnë direkt me bankat

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Rreth 85% e qytetarëve kontaktojnë direkt me bankën, duke vizituar një prej degëve të saj, ndërsa ekziston gjithashtu një përqindje e lartë edhe e atyre që kontaktojnë me bankën nëpërmjet e-mail-eve apo nëpërmjet aplikacioneve të instaluara në telefonat e tyre celularë.

Një anketim i Shoqatës Shqiptare të Bankave bën të ditur se forma të tjera të kontaktit me bankën përfshijnë website-n bankës, shërbimet call-center të bankës dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me stafin e saj. Të dhënat e mëtejshme tregojnë se përdorueset femra të shërbimeve/produkteve bankare janë më të predispozuara të përdorin e-mail-et e tyre si formën më të zakonshme të komunikimit me bankën, krahasuar edhe me përdoruesit meshkuj.

Nga ana tjetër, këta të fundit përdorin si formë më të shpeshtë komunikimi me bankën aplikacionet e tyre në telefonat celularë. Në lidhje me mënyrat e tjera të komunikimit me bankën, dallimet ndërmjet gjinive janë shumë të vogla.

“Grupmosha 25-34 vjeç, ka një përqindje më të lartë të përdoruesve që kontaktojnë me bankën nëpërmjet aplikacioneve në celularët e tyre në krahasim me grupmoshat e tjera”, – citon anketimi. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.