SERIA A/ Supersfida “Inter”-“Juventus”, Sarri: Nuk ka favorit

TIRANË, 5 tetor/ATSH-A. Fortuzi/ “Inter” dhe “Juventus” do të sfidohen të dielën në mbrëmje në supersfidën e javës së 7-të të Seria A.

Në kuadër të përballjes, përpara medieve ka folur trajneri bardhezi Maurizio Sarri, i cili theksoi se kjo sfidë nuk ka favorit, ndërsa të flitet për titull kaq herët, sipas ish-teknikut të “Napolit” është absurde.

“Janë akoma edhe 31 ndeshje, më duket e pakuptimtë të flasim për titullin. Për momentin është e rëndësishme të konfirmojmë që jemi në rritje dhe jemi të aftë të menaxhojmë ndeshjet siç duhet. Duhet të tregojmë që mund të largohemi nga ‘San Siro’ me një performancë të madhe. Janë në lojë ende 93 pikë, duket absurde të flasësh për titull”.

“Kemi akoma disa gjëra për të vendosur. Duhet të shohim se si do të shkojë stërvitja e sotme. Nesër do të luajmë ndaj një ekipi të fortë. Nuk ka favoritë në një ndeshje të tillë. Është një ndjenjë fantastike të jesh pjesë e kësaj sfide”, – tha Sarri.

“Conte është trajner fantastik, faktet dhe shifrat e vërtetojnë këtë gjë. Ai po i shfaq vlerat e tij dhe tek ‘Interi’. Ndeshja nuk është Conte kundër Sarrit, nesër do të jetë një ndeshje e bukur mes ‘Interit’ dhe ‘Juventusit’”, – theksoi Sarri. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.