PD: Rama të tregojë bandat të cilave u shërben prokurori Ndoja dhe të arrestojë të dyja palët

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Partia Demokratike ka kërkuar të shtunën nga Kryeministri Edi Rama të publikoi bandat të cilave u shërben prokurori Arjan Ndoja dhe të arrestojë të dyja palët

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, përmes një deklarate për mediet, nga selia blu, theksoi se, sot shqiptarët kanë parë me zë dhe figurë sesa e pafuqishme është qeveria e Edi Ramës për të luftuar me të vërtetë bandat dhe zyrtarët e lidhur me to.

“Ju e dini fare mirë se cili ka qenë qëndrimi i Partisë Demokratike në kohë për prokurorin në fjalë. Ajo që presin sot qytetarët shqiptarë nuk është a ka Erjon Braçe lidhje gjaku me drejtorin e arrestuar të Kadastrës. Kjo nuk ka pikë rëndësie për çështjen në fjalë”, – u shpreh Alibeaj.

“Ajo që prisnin sot shqiptarët nuk ishte refreni i propagandës bajate se “fajin e ka opozita”. Shqiptarët prisnin sot, që Edi Rama të bënte kryeministrin dhe të kërkonte arrestimin e prokurorit që i shërben bandave, si dhe nxjerrjen para drejtësisë të këtyre bandave, të cilat ai i njohka, por nuk ua përmend emrin”, – vijoi Alibeaj.

“Është urgjente që Edi Rama të përgjigjet për disa pyetje që sot ia bën çdo shqiptar. Cilës bande të Durrësit i shërben prokurori Arjan Ndoja? Prej sa kohësh Edi Rama është në dijeni të faktit që Arjan Ndoja punon për bandat dhe jo për shtetin? Pse heshtën Edi Rama dhe Erjon Braçe deri më sot dhe nuk dolën përpara se të arrestohej njeriu i tyre në Kadastrën e Durrësit? Pse nuk e arreston prokurorin që i shërben bandës dhe bandën që mbështet prokurorin?”, – theksoi Alibeaj.

“Këtyre pyetjeve Edi Rama duhet t’u japë përgjigje menjëherë. Pjesëmarrja e paprecedente e një zëvendëskryeministri në një seance gjyqësore dhe shantazhi publik nuk i shërben as ligjit, as të vërtetës, as drejtësisë”, – nënvizoi Alibeaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.