Inspektorët e punës me udhëzues kundër punësimit të paligjshëm të fëmijëve

TIRANË, 5 tetor /ATSH – I. Vata/- “Inspektorët e punës do të kenë tani udhëzuesin e posaçëm “Masat kundër punësimit të paligjshëm të fëmijëve”, që do të forcojë rolin e tyre në identifikimin dhe referimin e punës së paligjshme të fëmijëve”, shprehet Presenca e OSBE-së në Shqipëri.

OSBE, shprehet se “Udhëzuesi u hartua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe në konsultim me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe Zyrën e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim në Ministrinë e Brendshme.

“Rritja e ndërgjegjësimit të inspektorëve të punës në lidhje me identifikimin dhe referimin e punës së fëmijëve ka qenë një përparësi për Prezencën e OSBE-së, si dhe një nga ndërhyrjet e parashikuara në draftin e Planit Kombëtar të Veprimit, hartuar me mbështetjen e Prezencës”, shprehet OSBE.

Po ashtu, OSBE shton se “Udhëzimi i prezantuar në takimin e sotëm me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Punës, Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, dhe Zyrës së Koordinatorit Kombëtar të Antitrafikimit u hartua në kuadrin e projektit “Masat për mbrojtjen e fëmijëve nga trafikimi, shfrytëzimi për punë dhe migracioni i pasigurt”, që financohet nga qeveritë e Italisë, Gjermanisë dhe Francës”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.