FOTO/ Muaji i leximit, projeksion përrallash në gjuhën e shenjave në COD

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ – Muaji tetor është pagëzuar si muaji i librit. Nën moton “Lexo shqip!”, Ministria e Kulturës ka nisur fushatën për leximin, të quajtur “Dhuro, gjej, lexo”, që synon të nxisë drejt leximit brezin e ri.

Në ambientet e COD (Qendra për Hapje dhe Dialog) në Kryeministri kanë nisur aktivitetet në kuadër të fushatës së leximit.

“Lexojmë së bashku në COD” nisi me një projeksion përrallash në gjuhën e shenjave për fëmijët që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin. Në fund fëmijët vizituan ekspozitën ku u takuan me “elefantin” dhe mbetën të befasuar nga punët e artistëve Perino dhe Vele.

Gjithashtu në këto ambiente nisën leximet me dëshirën për një shtëpi të përbashkët, sepse “Shtëpia është aty ku janë librat”, me fëmijët kuriozë të kopshtit “Marlente”.

Fëmijët mësuan më shumë për Aladinin dhe llambën e tij magjike, dhe u habitëm me “Qyteti më i ri në botë” të teta Xhanos dhe vizatuam dhe personazhet e preferuara.

Gjatë muajit tetor në institucionet e kulturës do zhvillohen aktivitete të ndryshme, ku kryefjala do të jetë libri dhe leximi e ku protagonistët kryesorë do jenë të rinjtë, të cilët do mësojnë më shumë rreth rëndësisë së leximit. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.