Vetingu/ Komisioneri Publik ankimon vendimin për kryeprokurorin e Krujës, Petrit Çano

TIRANË, 4 tetor /ATSH – I. Vata/- Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të  Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Petrit Çano, me detyrë   prokuror/drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.

Komisioneri Publik mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, nga shqyrtimi i vendimit dhe provave të administruara nga Komisioni, vlerëson se ato janë të pamjaftueshme për të vendosur konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.

Nëpërmjet ankimit, Komisioneri Publik kërkon kryerjen e një hetimi të mëtejshëm për të tria kriteret e rivlerësimit, duke ia paraqitur për shqyrtim shkaqet e këtij ankimi,  juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.

Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që, pasi të ketë hetuar dhe të ketë marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të vendosë në mënyrë alternative: Ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar   të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 19 korrik 2019, por sipas Komisionerit Publik, në lidhje me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, provat e administruara nuk janë të mjaftueshme për vlerësimin tërësor. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.