Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria mirëpret në tetor Konferencën e OSBE-së për Mesdheun

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Shqipëria do të mirëpresë shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe Partnerët Mesdhetarë në Konferencën e OSBE për Mesdheun në 24-25 Tetor në Tiranë.

Ambasadori i Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Igli Hasani i’u drejtua Forumit Mesdhetar të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Marrakesh të Marokut.

Ambasadori Hasani u shpreh se, “përtej referencave gjeografike, Shqipëria ndan lidhje të forta kulturore dhe politike me rajonin e Mesdheut”.

“Në 25 vjetorin e Grupit të Kontaktit Mesdhetar, ne mezi presim të mirëpresim Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe Partnerët Mesdhetarë në Konferencën e OSBE për Mesdheun, që do të mbahet në 24-25 Tetor në Tiranë, Shqipëri”, tha ai.

OSBE dhe Partnerët e saj të Mesdheut (Algjeri, Egjipt, Izrael, Jordani, Marok dhe Tunizi) do të festojnë këtë vit përvjetorin e 25-të. Gjatë Samitit të vitit 1994 në Budapest, u krijua një kornizë e re për bashkëpunim, i cili njihet sot si Grupi i Kontaktit me Partnerët e Mesdheut.

Ky dialog i vazhdueshëm u bë një platformë e qëndrueshme për “shkëmbimin e informacionit me interes të ndërsjellë dhe gjenerimin e ideve”, në Konferencat vjetore të Mesdheut.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version