Projekti i Teatrit Kombëtar, PD padit arkitektin danez për korrupsion

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Partia Demokratike dërgon për ndjekje penale arkitektin danez Bjarke Ingels.

Akuzat në padinë që Partia Demokratike ka depozituar në prokurori kundër arkitektit danez janë 3: “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”; “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Padia e Partisë Demokratike kundër arkitektit sjell historikun e këtij projekti, bazuar mbi deklaratat publike. Sipas PD, arkitekti Bjarke Ingels ka bashkëpunuar për një projekt të pabazuar në asnjë ligj.

“Qartësisht shtetasi Bjarke Ingels ka qenë në dijeni të faktit se jemi përpara një oferte të parregullt, dhe me dashje ka pranuar realizimin e saj”, shkruhet në padinë e depozituar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Për këtë padi, Partia Demokratike ka njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë së Danimarkës, duke qenë se studio arkitekturore e Bjarke Ingels, “BIG-BJARKE INGELS GROUP”, e ka qendrën në Kopenhagen të Danimarkës.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.