PODGORICË  – Pompeo: Mali i Zi vend i vogël me kontribut të madh

BEOGRAD, 4 tetor /ATSH-ANSA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili zhvilloi sot një vizitë të shkurtër në Malin e Zi e cilësoi sot atë si një vend të vogël, por me një kontribut të madh.

“Mali i Zi është i rëndësishëm për stabilitetin rajonal”, deklaroi kreu i diplomacisë amerikane në përfundim të një takimi me presidentin malazez, Milo Gjukanoviç.

Vend ballkanik, që ka qenë një prej shteteve të ish-Jugosllavisë, u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017, pavarësisht kundërshtimit të fortë të Rusisë, që nuk e sheh me sy të mirë zgjerimin e Aleancës Atlantike në Lindje.

Sipas medias lokale, Pompeo përshëndeti bashkëpunimin mes  SHBA-së dhe Malit të Zi në luftën e përbashkët kundër kërcënimeve të shekullit të XXI dhe njoftoi një marrëveshje për pajisje ushtarake për Podgoricën me një vlerë prej 36 milionë dollarë.

Sekretari amerikan i ftoi në të njëjtën kohë drejtuesit malazez të punonin për riforcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias.

“Kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme”, deklaroi Pompeo duke iu referuar rasteve të ndryshme të ndodhura në vend.

Sekretari amerikan i Shtetit takoi gjithashtu dhe kryeministrin, Dushko Markoviç, të cilin e siguroi për mbështetjen e SHBA-së në procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Europian.

Nga Mali i Zi, sekretari amerikan i shtetit do të vazhdojë vizitën në veri të Maqedonisë ku do të takohet me presidentin, Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Zoran Zaev.

Etapa e fundit e turneut në Ballkan do të jetë Greqia./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.