Ministrja e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut: Shpresojmë që edhe negocimin me BE ta bëjmë së bashku me Shqipërinë

TIRANË, 4 tetor/ATSH/- Ministrja e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Renata Deskoska, ka folur në “Ministralin e Drejtësisë” në Tiranë ku është ndalur te bashkëpunimi që ka pasur me homologen shqiptare, Etilda Gjonaj, lidhur me procesin “Screening”, fazë kjo e rëndësishme për integrimin në Bashkimin Europian.

Duke vlerësuar punën e bërë në këtë drejtim nga Ministria e Drejtësisë, ajo shprehu pritshmëritë e vendit të saj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të vazhdojnë së bashku rrugëtimin drejt BE, duke theksuar se “kur notojmë bashkë në të njëjtin det me të njëjtat vështirësi, do të jetë më e lehtë për secilin prej vendeve t’ia dalë”.

Ajo shtoi se “me Etildën jemi takuar për herë të parë në Bruksel për procesin Screening dhe shpresoj shumë që edhe procesin e negocimit ta bëjmë gjithashtu së bashku për të ecur paralelisht. Ashtu siç edhe u përmend, edhe sot vendet tona kanë një pëlqim me përqindje shumë të lartë ndaj BE-së. Në rast të një vendimi negativ nga vendet e BE-së do të ndikoje në uljen e pëlqimit”, – tha ministrja Deskoska duke vendosur theksin te pritshmëritë e saj që përpjekjet e të dyja vendeve të shpërblehen.

“E kundërta do të dekurajonte besimin e qytetarëve në vendet tona, të cilët shohin në horizont me shumë pritshmëri dhe shpresë të ardhmen evropiane të vendeve të tyre. Shpresoj që të kemi vullnet politik prej të gjithë liderëve të vendeve të rajonit në mënyrë që të bëjmë realitet parimet dhe vizionin e baballarëve vizionarë të Bashkimit Europian për një kontinent popujsh të bashkuar”.

Në fjalën e saj ajo përmendi edhe sfidat e përbashkëta mes dy vendeve: “Të njëjtat sfida si të Shqipërisë, ka edhe Maqedonia e Veriut, por rekomandimet janë të ndryshme për ne. Edhe neve kemi pasur një diskutim për të vazhduar me procesin e Vetingut të gjyqësorit, por nga rekomandimet që na janë bërë, kemi vlerësuar se ky proces nuk rekomandohet për Maqedoninë e Veriut. Ndaj, ne kemi miratuar një strategji për gjyqësorin e cila është miratuar edhe nga Bashkimi Europian dhe është sipas standardeve të BE-së”, – tha ndër të tjera ministrja e vendit fqinj.

Më herët, në fjalën e saj të dytë, ministrja Gjonaj, u shpreh para homologëve të saj se Ballkani Perëndimor do të jetë një shembull pozitiv i bashkëpunimit rajonal në nxitjen dhe ndërmarrjen e reformave kyçe shtetformuese për qytetarët. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.