Mbi 34 mijë vëzhgues në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë

PRISHTINË, 4 tetor/ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor që të rinumërohen votat e kandidatëve për deputetë, nëse Qendra e Numërimit dhe Rezultateve rezulton se deri në 30 për qind ka parregullsi dhe mospërputhje të votave.

Një propozim i tillë u kundërshtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk mori votat e mjaftueshme për t’u futur si pikë e rendit të ditës në mbledhje të KQZ-së.

Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi e kërkoi rinumërim të votave të kandidatëve për deputetë nëse paraqiten parregullsi, pasi sipas tij, praktikat e mëhershme kanë vërtetuar se gjatë numërimit të votave të kandidatëve kanë pasur mospërputhje të votave.

Gashi tha se kjo po bëhet me qëllim të rritet transparenca e procesit zgjedhor. Një kërkesë të tillë e kanë kundërshtuar anëtarët e partive tjera politike që janë pjesë e KQZ-së, duke e konsideruar si të vonuar.

Anëtari i LDK-së në KQZ-së, Sami Hamiti tha se një kërkesë të tillë e cila vjen 48 orë para ditës së zgjedhjeve do të duhej të procedohej më herët. Hamiti theksoi se numërimi i votave në QNR ka qenë kërkesë qysh nga nisja e reformës zgjedhore por nuk ka pasur vullnet politik për ta marr një vendim më herët për këtë çështje.Ndërsa, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk është serioze që 48 orë para procesit zgjedhor të kërkohet një ndryshim esencial i cili është dashur të iniciohet qysh para planit operacional.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka përçoi një mesazh për të gjithë komisionerët e subjekteve politike se nëse shkaktojnë ndonjë parregullsi, do të bëhet kallëzim penal ndaj tyre.

Gjatë kësaj mbledhje të KQZ-së, janë akredituar edhe 51 vëzhgues derisa numri i përgjithshëm i atyre që e vëzhgojnë procesin zgjedhor të 6 tetorit shkon në 34 mijë e 586 vëzhgues.

Kujtojmë që sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore, ndërsa nesër është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën më 6 tetor qytetarët e Kosovës do u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryeministrin e ardhshëm të Kosovës. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.