GJERMANI – Maas: SHBA ka zgjedhur konfrontimin në fushën e tregtisë

BERLIN, 4 tetor /ATSH-ANSA/ – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas akuzoi SHBA-në për refuzimin e ofertave për një zgjidhje miqësore në tregti dhe paralajmëroi se Bashkimi Europian së shpejti mund të përgjigjet duke rritur tarifat për mallrat amerikane.

Maas sot tha se Uashingtoni “po shkon në rrugën e konfrontimit”, pasi administrata e Trumpit vendosi taksat e mëdha për mallrat e BE-së, pasi mori miratimin e Organizatës Botërore të Tregtisë mbi subvencionet europiane për prodhuesit e avionëve ”Airbus”.

Kryediplomati gjerman në Twitter shkroi se “BE duhet të reagojë dhe ndoshta të rritë tarifat ndëshkuese pas miratimit të OBT-së”, një referencë e dukshme për një rast të ngjashëm të OBT-së që përfshin avionët ”Boeing”.

Maas tha se BE “mbetet e gatshme të negociojë bashkërisht rregullat për subvencione në industrinë e avionëve”, duke shtuar se “ne ende mund të shmangim dëme të mëtejshme”./   /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.