FOTO/ “Feminiteti”, ekspozitë e 2 artistëve italianë kushtuar gruas

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ – Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është hapur ekspozita “Feminiteti”, ekspozitë fotografike me fotografi të dy fotografëve italian Giuditta Martinicchio dhe Matteo Montaperto.

Përmes dy projekteve interesante artistike, fotografët e rinj italianë Giuditta Martinicchio dhe Matteo Montaperto, përpiqen sot të japin një përgjigje pyetjeve, cilat janë pikëpamjet që i afrohen konceptit të feminitetit në shekullin tonë?

Rishikimi fotografik që propozohet në fakt, lind nga një dëshirë për të hetuar, ai që e sheh nocionin bashkëkohor të “feminitetit” si objekt studimi përmes eksplorimit të një koncepti të zhvilluar gjatë historisë mijëra vjeçare dhe brenda fazave të ndryshme të civilizimit dhe ndryshimeve shoqërore.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite të veçantë morën pjesë, Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, Dr.Vittoria Pompo, Presidente e Coordinamento Donne Nel Mondo, Sara Wielich, kuratore e ekspozitës, Giuditta Martinicchio, fotografja e ekspozitës dhe Federico Monsellato.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se, “është kënaqësi për Muzeun Historik Kombëtar që nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me Coordinamento Donne Nel Mondo organizojmë këtë ekspozitë fotografike me fotografi të Giuditta Martinicchio dhe Matteo Montaperto. Kombi shqiptar historikisht ka hasur probleme me emancipimin dhe integrimin e femrës në shoqëri. Në dekadat e fundit, me krenari mund të thuhet se janë bërë përparime të rëndësishme në këtë drejtim”.

Ambasadori i Italisë në Tiranë Alberto Cutillo u shpreh se, “është kënaqësi të jem këtu në këtë ekspozitë dedikuar gruas, në këtë proces ne kemi detyrën të dëshifrojmë mesazhin dhe aftësinë për të mbledhur dhe për ta bërë këtë ftesë entuziaste për të reflektuar”.

Ekspozita u shoqërua gjithashtu nga një kompozim i ri muzikor, me titull Feminitet. Pjesa instrumentale, e kompozuar nga Federico Monsellato, krijoi ambientin perfekt për të shijuar këto vepra. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.