VIDEO/Nga janari i vitit 2020, instalim të ashensorëve me markën CE, sipas standardeve të BE

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Z.Tosku/ Nga janari i vitit 2020, ashensorët që do të instalohen në të gjithë vendin, nuk do të lejohen të montohen nëse nuk mbajnë markën CE, certifikim ky nga autoritetet e Bashkimit Europian, në  mënyrë që qytetarët të ndihen të sigurt në përdorimin e tyre dhe të shmangen incidentet e mundshme.

Ishte ky vendimi i marrë dje nga Këshilli i Ministrave, menjëherë pas situatës së krijuar pas tërmetit të 21 shtatorit, ndërsa Lavdërim Sahitaj, kryeinspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut, i ftuar në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare shpjegoi planin e masave të detyrueshme si për kompanitë që merren me instalimin e ashensorëve, ashtu edhe nga administratorët e pallateve dhe njësitë vendore.

“Menjëherë pas rënies së tërmetit më 21 shtator, ministria e Financave nën drejtimin e zonjës Denaj, bashkë me Inspektoriatin e Mbikqyrjes së Tregut hartoi një plan masash për vlerësimin e situatës të krijuar pas tërmetit. Fillimisht filluam kontaktet me kompanitë që merren me instalimin e ashensorëve, për të parë më nga afër se cila ishte gjendja e krijuar pas tërmetit. Më pas nisëm një komunikim me njësitë vendore dhe administratorët e pallateve të cilët janë përgjegjës për monitorimin e tyre. Le të theksojmë se situata nuk është shumë negative, për fat të mirë nuk kemi patur probleme njerëzore bllokim apo ndonjë fatkeqësi të kësaj natyre.

Problemet janë me natyrës teknike që do të thotë që ka probleme në regjistër, në kaloudim të tyre, pra që janë të ç’regjistruara, në lëvizje jo të sakta. Pra, ka probleme të cilat duhen rivlerësuar nga ana e administratorëve dhe personave përgjegjës”, -tha ai.

Sipas Sahitaj, vendimi i qeverisë ka të bëjë me dy ndryshime thelbësore.

“Siç e dimë, pas viteve 1990 ashensorët janë jo të një standardi të markës së CE, janë të sjella në vende të ndryshme të botës të cilat një pjesë prej tyre nuk i plotësojnë këto standarde. Sa i përket pjesës tjetër, nga janari 2020 këta ashensorë nuk do të lejohen të montohen pa patur markën CE. Me pak fjalë, të gjithë administratorët e pallateve, njësitë vendore, kompanitë që merren me instalimin duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin për të bërë të mundur që brenda vitit të ardhshëm të përfundojë ky regjistrim i ashensorëve të montuara gjatë 30 viteve të fundit.

Sipas planit të përgatitur, kontrollet dhe rivlerësimet do të nisin nga Tirana e Durrësi. Ndërkaq, Sahitaj argumentoi se ky vendim vjen edhe në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.

“Ky është një kusht. Ne jemi në kapitullin numër 1. të këtij raporti. Flitet qartë për të gjitha kompetencat dhe punën e Inspektoriatit. Dhe nëse ne shumë shpejt do të hapin negociatat, do të jetë kusht nga Bashkimi Europian që nuk mund të lejosh të importohen ashensorë apo pajisje të ashensorit pa qenë të autorizuara dhe certifikuara nga trupa që janë të autorizuara nga Bashkimi Europian”,-tha ndër të tjera, Sahitaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.