Rehabilitimi i Lanës/Ahmetaj: Investimi përmirëson cilësinë e jetës për qytetarët e Tiranës

TIRANË, 3 tetor /ATSH/- Rehabilitimi i lumit Lana, është projekti që i hap rrugë investimit për zgjatimin e bulevardit nga Ura Teknologjike (ku përfundon aktualisht segmenti ekzistues) deri në kryqëzimin me rrugën “Teodor Keko”, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës.

Kështu u shpreh sot në Kuvend deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, sipas së cilit, “plani i financuar nga qeveria për zhvillimin bashkëkohor urban, fokusohet në qytetin e Tiranës që po shkon në mbi 1 milionë banorë dhe që ka dy akse kryesore, njëri përfaqësohet nga Unaza e Madhe dhe tjetri nga projekti në vazhdim i lumit Lana”.

Ahmetaj solli në vëmendje transformimin që pësoi lumi i Lanës nga pastrimi i numrit të pafund të ndërtesave që e pushtuan pak vite më parë në të dy anët e lumit dhe që sot siç tha ai, “ky projekt transformues duhet të vijojë me lumin Lana edhe përgjatë segmentit tjetër që vijon ky lum”.

“Çdo ditë Tirana, bashkë me qytetarët e saj dhe të atyre që e vizitojnë Tiranën shkojnë në 1.2 milionë banorë për të cilët llogariten mbi 150 mijë makina, dhe i gjithë përmirësimi i konjuktivitetit dhe i investimit synon përmirësimin e cilësisë së jetës për çdo qytetar, të sigurisë së lëvizjes, apo edhe të rivlerësimit të pronës për shkak të përmirësimit në investime.”- tha ai.

Pra investimi në lumin Lana, theksoi Ahmetaj, është një sipërmarrje shumë e rëndësishme për qytetin. Plani investimeve për Tiranën ka gjetur mbështetjen maksimale nga qeveria për çdo detaj apo projekt në shkolla, qendra shëndetësore, infrastrukturë etj, që i shërben qytetarëve.

Ky është qyteti i të gjithë shqiptarëve dhe ka nevojë për investimin e këtij projekti, u shpreh Ahmetaj.

Ai parashtroj nevojën që Bashkia e Tiranës të informojë qytetarët për zbatimin e këtij projekti, se kush preket, çfarë përfiton, si do të trajtohen shpronësimet, vlerësimi i pronave etj.

Ahmetaj garantoj se, investimet mbështetëse që adresojnë institucionet ndërkombëtare në rastin konkret Banka Europiane e Investime për rehabilitimin e plotë të lumit Lana, nuk fillojnë asnjë herë pa zgjidhur çështjet sociale, çka do të thotë se grandi nga BEI-i e bëjnë të qartë se trajtimi social i të prekurve nga ky projekt do të jetë mëse transparent në çdo hallkë.

“Eshtë investim për qytetarët e Tiranës, synon përmirësimin e jetës që tyre”- tha ai.

Pr.ligj, që u diskutua sot në Kuvend për projektin zhvillimor të lumit Lana parashikon krijimin e një shtrati me regjim hidraulik eficient për të eliminuar problematikën e përmbytjeve në këtë zonë, si dhe duke krijuar hapësirat e nevojshme të zhvillimit urban të zonës. Gjithashtu, projekti parashikon zgjatjen e bulevardet paralel me lumin me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Zona që ndikohet nga projekti shtrihet në një sipërfaqe prej 110 ha. Kryesisht ndërtimet përgjatë lumit të Lanës janë ndërtime informale banimi 1, 2 dhe 3 kate, të vetëndërtuara dhe me kushte minimale të banimit. Këto banesa kanë mangësi të theksuara në lidhje me infrastrukturat sociale dhe inxhinierike. Investimi do të transformojë lumin Lana në një dimencion të ri urbanizmi. e.xh/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.