Reforma në Drejtësi, ministrat e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Tiranë

TIRANË, 3 tetor/ATSH/- Ministrat e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Tiranë për të diskutuar lidhur me reformat e ndërmarra për forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe sfidat e përbashkëta që gjenden përpara.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila, për të dytin vit radhazi ka mundur të bëjë bashkë të gjithë grupin ministror për të çuar më tej bashkëpunimin rajonal.

Gjonaj nënvizon se kjo iniciativë e përbashkët do të shërbejë si shembull pozitiv mbi ndërmarrjen e reformave kyçe shtetformuese për qytetarët.

“Ditën e nesërme, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, kam nderin të pres në Tiranë ministrat e Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor, trupën diplomatike, ligjvënës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias për të diskutuar mbi sistemin e drejtësisë. Rezultatet e Reformës në Drejtësi në Shqipëri vijojnë të përmirësohen ndjeshëm, duke na dhënë mundësi që ne të tregojmë modelin tonë të suksesit për një perspektivë më të gjerë rajonale. Edhe pse kemi shumë për të rrëfyer, akoma edhe më shumë kemi për të mësuar”, nënvizon Gjonaj.

Konferenca “It’s all about justice” në qendër do të ketë një platformë bashkëpunimi ofruar nga RCC. /a.sh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.