Kryemadhi: Djegia e mandateve vetëvrasje politike, nevojitet institucionalizimi i dialogut

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi sot se “nuk i trembet asnjë lloj marrëveshje PD-PS”.

E ftuar në një studio televizive, Kryemadhi tha se “ditën që politika shqiptare do ta institucionalizojë dialogun, nuk do të ketë më krizë politike dhe Shqipëria do të vazhdojë e sigurt drejt gjithë proceseve të saj për integrimin europian”.

“Nuk është çështje marrëveshjeje PD-PS, PS-LSI, PD-LSI. Është çështja e hapave që do të ndiqen nga politikëbërësit, nga të gjitha forcat politike, si ato parlamentare dhe jo parlamentare. Dialogu politik është institucion”, – tha ajo.

E pyetur nëse do ia linte vendin Ilir Metës në krye të LSI-së nëse do të shkarkohej si President, Kryemadhi u përgjigj negativisht, ndërsa duke komentuar draftin mbi shkeljet e Presidentit, tha se nuk është vetëm Kreu i Shtetit, por edhe Komisioni i Venecias që ka tejkaluar kompetencat.

Kryemadhi foli edhe për strategjinë e opozitës pas 18 tetorit kur do të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave. “Opozita ka qenë e gatshme gjithmonë për të shkuar në zgjedhje, pavarësisht po themi gosipeve që hidhen poshtë e përpjetë. Që do të thotë, ne jemi të gatshëm për të marrë pjesë në zgjedhje çdo ditë, por nuk është problemi për të mbyllur një proces dhe të hapim një proces tjetër krize, por është problemi që ne duhet ta mbyllim përfundimisht krizën politike dhe krizën e trancizionit politik”, – tha Kryemadhi.

Ajo tha se mazhoranca duhet të kthejë përgjigje se çfarë mendimi ka për pesë pikat tona dhe më pas të vazhdojmë me etapat e tjera. “Tashmë është koha që të flasë mazhoranca, të flasë Rilindja se çfarë mendojnë ato për propozimet e opozitës”, – tha ajo.

Kryemadhi pranoi po ashtu se “djegia e mandateve ishte vetëvrasje politike për opozitën, një vendim ekstrem politik që nuk ka ndodhur ndonjëherë”.

E pyetur se si e shikon Presidenti Meta aksionin opozitar, ajo tha se “është i pakënaqur për çështjen e mandateve”. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.