Institucioni që duhet të vendosë për zgjedhjet në Shkodër pret 13 tetorin

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Për Shkodrën do ta vendosin institucionet, por institucioni që duhet të merret me këtë na mungon, se pret zgjedhje në 13 tetor”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Duke folur për dekretin e Presidentit për zgjedhjet e 13 tetorit, Rama u shpreh se “ata vazhdojnë të insistojnë në marrëzinë e tyre”.

Rama tha se “njerëzit, kur vendosin të kapërcejnë vijën e kuqe janë përgjegjës personalisht, nuk ka rëndësi nëse është i gjakut, i organizatës, i ndërmarrjes, apo ortaku yt”.

“Aneta Rama ka bërë dy djem, mua dhe vëllain tim. Vëllai im përgjigjet për vete, nëse shkon në drejtim të gabuar, është përgjegjësia e tij. Përgjegjësia ime është çfarë mendoj unë, bëri mirë apo gabim”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “PS meriton vlerësim, sepse është e vetmja parti që reagon”. “Përpara pak vitesh drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, i dënuar me pranga në arrest shtëpie mbahej drejtor, sepse paraardhësi im thoshte: drejtësia vendoset te shkalla e fundit. Drejtonte tatimet e Shqipërisë me pranga në shtëpi”, – tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.