Hapja e negociatave, Hajdari: Pritshmëri për një vendim pozitiv

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Deputetja e opozitës Rudina Hajdari deklaroi sot se ka pritshmëri pozitive për një vendim për hapjen e negociatave.

Duke folur në Kuvend, Hajdari tha se, grupi parlamentar që ajo përfaqëson do jenë të parët si opozitë që vendosin vendin para partisë.

“Ne duhet ta ndryshojmë sistemin, sepse e vetmja votë e lirë që do vijë këtu dhe të vetmin njerëz që do e përfaqësojnë këtë Parlament do jenë ata që iu shërbejnë qytetarëve. Sot qytetarët kanë humbur besimin dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për të rikthyer besimin”, – tha Hajdari.

Sot, u shpreh ajo, “çdo qytetar ka humbur besimin te liria e votës, tek demokracia. Që në momenti që u vendosa në listën e PD dhe arsyeja pse jam në politikë ishte për të shtyrë përpara axhendën europiane të vendit. Qëllimi për të shkuar në BE shkon përtej partive, militantëve”.

“Kjo elitë politike ka penguar zhvillimin. Do jemi opozita e parë që vendosem të vëmë vendin para partisë, rebelët e parë, ndihem krenare që jam nismëtare e kësaj rezolute”, – theksoi Hajdari.

“Nuk do punoj asnjë ditë kundër përparimit të Shqipërisë. Ky sistem është më i keqi që ka njohur vendi, demokracia është varfëruar nuk i shërbejmë dot më këtij qëllimi edhe pse jam në opozitë luftova për çeljen e negociatave, për të bërë diferencën, që Shqipëria të ketë mundësi zhvillimi e përparimi”, – tha deputetja e opozitës.

Një vlerësim negativ i shtyn shanset 3-4 vjet. Nga 2018 e deri tani Shqipëria ka bërë hapa pas. Gjatë kësaj kohe ka pasur një përparësi të lehtë në drejtësi me Vetingun, por nuk po luftohet lufta kundër korrupsionit. Më shumë Europë në Shqipëri do na bënte mirë të gjithë. Pritshmëria ime është për një vendim pozitiv”, – tha Hajdari.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.