Hagë/ Ibrahimi pritet nga Prokurori i Përgjithshëm i Mbretërisë së Holandës

TIRANE, 3 tetor/ ATSH/ Gjatë vizitës në Hagë, kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi takoi prokurorin e përgjithshëm i Mbretërisë së Holandës, Gerrit van der Brug i cili i prezantoi mënyrën e funksionimit e Prokurorisë të Përgjithshme dhe pavarësinë e saj institucionale ndaj faktorit politik dhe atij ekzekutiv në veçanti.

Në Mbretërinë e Holandës, Prokuroria e Përgjithshme përbëhet nga 900 prokurorë, 10 prokurori distriktuale ku 70% janë prokurore femra, 200 mijë çështje penale në vit për një popullsi prej rreth 17 milionë banorë. Gjithashtu ekziston Asambleja e Prokurorëve, një organ i pavarur i cili këshillon dhe mbron prokurorët gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre.

Gerrit van der Brug i kërkoi Ibrahimit intensifikimin e bashkëpunimit, pika kontakti të besueshme, me integritet dhe profesionalizëm në prokuroritë dhe në policinë shqiptare, për të bërë të mundur shkëmbimin në kohë optimale të informacioneve dhe organizimin e operacioneve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut.

Kryetari i KLP-së shpjegoi ndryshimet që kalon gjithë sistemin e drejtësisë në vend në një përpjekje kombëtare me qëllim rritjen e kredibilitetit, integritetit dhe pavarësisë së magjistratëve. Gjatë gjithë procesit, faktori ndërkombëtar ka monitoruar çdo fazë të zbatimit të Reformës në Drejtësinë në Shqipëri.

Ibrahimi siguroi Gerrit van der Brug se së shpejti Shqipëria do të këtë dy institucione të reja SPAK dhe BKH, si partnere të besueshme në luftën kundër krimit të organizuar. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.