140 zyra të reja aplikimi për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ JAnë hapur plot 140 zyra të reja aplikimi për kartat e identitetit apo pasaportat biometrike në të gjithë vendin, nga të cilat 12 në bashkinë e Tiranës, duke reduktuar ndjeshëm pritjet në radhë të qytetarëve dhe për të përballuar flukset e aplikantëve.

Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, u ndal në një zyrë të re pranë njësisë 5 në Tiranë, ku gjatë një interviste për ERTV, foli mbi procedurat dhe afatet e aplikimit.

Sipas saj, hapja e zyrave moderne dhe shtimi i numrit të operatorëve që presin qytetarët, ka mundësuar një shërbim më të shpejtë, por edhe më cilësor për qytetarët shqiptarë që duan të rinovojnë mjetet e tyre të identifikimit.

“Pasi blini kuponin, vini në këtë zyrë ku punonjësi i gjendjes civile bën verifikimin e shtetasve që aplikojnë, duke verifikuar të dhënat e qytetarëve në regjistrin e gjendjes civile. Në rast të aplikimit për pasaporta biometrike fillimisht plotësohet një formular në komisariatin e zonës ku qytetari është banor. Punonjësi i policisë së zonës verifikon nëse ti je banori i asaj zone, në atë pallat, apo lagje dhe ky proces është shumë i shkurtër, brenda 24 orësh. Brenda 24 orësh vjen formulari nga Policia e Shtetit në këtë zyrë”, – tha Voda.

“Më pas, qytetarët gjenden para makinerisë së posaçme, bëjnë foton dhe lënë shenjat e gishtave. Kjo është një procedurë që nuk zgjat më shumë se tri-katër minuta, më pas lajmëroheni nga punonjësi kur dokumenti i identifikimit është gati”, – sqaroi zëvendësministrja mbi procedurën.

Lidhur me afatet kohore të aplikimeve, Voda sqaroi tri fashat kohore që janë vënë në dispozicion për qytetarët shqiptarë.

“Fundi i vitit po vjen dhe në 31 dhjetor 2019 përfundon afati i vlefshmërisë së mjeteve dhe do të kemi një bum aplikimesh. Kemi edhe një fluks të madh të pasaportave të skaduara në vitet 2009-2010 dhe ndaj për të normalizuar këto flukse, për t’i orientuar njerëzit, e kemi ndarë shërbimin në tri fasha kohore. Për karta identiteti që kanë skaduar nga janari në prill, do të aplikojnë në muajin tetor. Kujt i skadon nga maji deri në gusht, aplikon në nëntor. Ndërsa, kujt i ka skaduar në muajt shtator-dhjetor, aplikon në dhjetor, e më pas do duhet të presin janarin 2020”, – tha Voda.

Përveç zyrave të reja në të gjithë vendin, aplikimin për karta identiteti dhe pasaporta biometrike e ofrojnë edhe zyrat e shërbimeve të integruara, ADISA. /a.sh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.