​Daka reagon ndaj deklaratës së Gjuriç: Udhëzimet e KQZ-së, detyruese për komisionerët

PRISHTINË, 3 tetor/ATSH/- Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, i cili ka thënë se komisionerët në vendvotime në të gjitha komunat me shumicë serbe, do i njohin të gjitha dokumentet për identifikim.

Daka deklaroi sot se udhëzimet e miratuara në KQZ janë detyruese për të gjithë dhe se të gjithë komisionerët që nuk do e respektojnë udhëzimin për përdorim të dokumenteve për identifikim do të kenë konsekuenca juridike.

Sipas saj, qytetarët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm me dokumente identifikuese të Republikës së Kosovës. Ndërsa  anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se Beogradi përmes Listës Serbe është duke bërë presion dhe po shantazhon qytetarët serbë që jetojnë në Kosovës dhe subjektet politike serbe që janë në garë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Rrustemi u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë në Kosovë të jenë më aktive dhe të krijojnë një mjedis të mirë që të gjitha partitë politike aktivitet e tyre elektorale t’i zhvillojnë në një frymë demokratike. Kurse anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Gashi tha se komuniteti serb duhet të jetë imun ndaj këtyre ndërhyrjeve nga Beogradi duke theksuar se KQZ do jetë vigjilent ndaj çdo situate të mundshme.

Në këtë mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u akredituan edhe 432 vëzhgues të tjerë, ku numri i plotë i vëzhguesve është 34 mijë e 435 vëzhgues. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.