Pritshmëri të paplotësuara/ Shahini: Gjetjet e sondazhit kombëtar të studentëve, mesazh i qartë për universitetet

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ – Në prezencë të rektorëve, dekanëve dhe drejtuesve të ndryshëm të universiteteve publike në vend u prezantuan gjetjet e Sondazhit Kombëtar të Studentëve (SKS), zhvilluar në periudhën prill-maj 2019.

Sipas këtij raporti, janë plot 89 mijë pyetësorë të dërguar, mesatarja e plotësimit të të cilëve në nivel kombëtar është 31,2%. Në institucionet jashtë Tiranës, studentët duken më të kënaqur, teksa universitetet me numrin më të madh të studentëve kanë edhe numrin më të madh të të pakënaqurve.

Është 52 përqindja e studentëve të cilët kanë “pritshmëri të paplotësuara”. Ata janë kryesisht të pakënaqur nga mbështetja institucionale e IAL-ve dhe relativisht të kënaqur nga mësimdhënia e pedagogëve. Njëkohësisht, studentët shprehin nevojën për mbështetje më të madhe nga ana e IAL-ve për sa i përket punësimit, kërkimit shkencor dhe praktikave profesionale.

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), në rolin e zbatuesit kryesor të këtij sondazhi kombëtar, ka nxjerrë edhe raportet në lidhje me fushat e ndryshme të vlerësimit për institucionin.

Konkretisht: a) menaxhimi & funksionimi: nivel mesatar ose jo mirë; b) infrastruktura në funksion të mësimdhënies: vlerësohet jo mirë; c) kurrikulat – nivel mesatar ose mirë; d) mësimdhënia & mësimnxënia: nivel mesatar ose mirë; e) aktiviteti kërkimor: nivel mesatar ose jo mirë; f) mbështetja institucionale ndaj studentëve: nivel mesatar ose jo mirë.

Në fjalën e saj gjatë takimit, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini theksoi se gjetjet e këtij sondazhi tregojnë shumë qartë një mesazh për drejtuesit e universiteteve para fillimit të vitit të ri akademik dhe para zgjedhjeve për rektorë, dekanë e drejtues të tjerë që do të mbahen në pranverë 2020.

“Tani, mesazhi nga studentët ishte i qartë. Ata janë të kënaqur me pedagogët e tyre, janë të pakënaqur me institucionet e tyre. Mendoj që kjo është një porosi shumë e rëndësishme për të menduar për të. Pra, çfarë mund të bëjmë secili nga ne në detyrat që kemi për të përmirësuar gjendjen në universitetet publike, si gjendjen infrastrukturore, për të cilën ndoshta kemi më pak mundësi të bëjmë diçka shpejt, por edhe në cilësinë e arsimit, e cila i takon plotësisht universiteteve që ta përmirësojnë urgjentisht”, – shtoi ajo.

Pyetjes së një studenteje se “mbi kë bie përgjegjësia për sa i përket rezultateve të sondazhit”, ministrja Shahini u shpreh, “një pjesë e politikave që kemi ndërmarrë, na takon neve që t’i fillonim. Por pjesa kryesore e punëve duhet të kryhet nga universiteti. Nëse ka problem me librat që nuk janë nëpër bibliotekat e universiteteve, MASR nuk mund të blejë librat për secilin universitet dhe për secilin fakultet. Është një prioritet që duhet ta ketë secili universitet dhe secili fakultet – t’i blejë librat në kohë dhe t’i verë në dispozicion të studentëve. Dhe është një kërkesë që grupi i studentëve që është më aktiv, ta bëjë tek organet drejtuese të secilit universitet”.

“Pra, një pjesë të punës që ne mund ta kryenim siç është përgjysmimi i tarifave apo bursat për studentët, çështje financiare të cilat universitetet nuk arrinin t’i adresonin, ne i morëm vendimet shpejt e shpejt dhe jemi duke i zbatuar. Por pjesa tjetër që i përket cilësisë së arsimit dhe vlerës së diplomës që pastaj ju e merrni në fund të studimeve, kjo i takon vetë universiteteve. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që t’i asistojmë universitetet për t’i arritur standardet që ju meritoni, por duhet që edhe kërkesat nga ju të drejtohen edhe tek fakultetet dhe universitetet e juaja”, – përfundoi ministrja Shahini. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.