Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin për masat shtrënguese ndërkombëtare në Shqipëri

TIRANË, 2 tetor /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi miratoi sot projektligjin “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, duke i përcjellë sugjerimet përkatëse Komisionit për Sigurinë Kombëtare.

Të pranishëm në komision për prezantimin e projektligjit ishin përfaqësues të lartë nga pesë ministri të ndryshme: zëvendësministri i Europës dhe Punëve të Jashtme, Etjen Xhafaj; si edhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Bujqësisë.

“Qëllimi i këtij projektligji është vendosja dhe zbatimi i masave shtrënguese ndërkombëtare në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, parandalimit të konflikteve ndërkombëtare, mbështetjes dhe forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut, si dhe arritja e objektivave të tjerë të sigurisë së përbashkët, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë”, – u shpreh për komisionin zëvendësministri Xhafaj.

Relatori i projektligjit, Edmond Leka, dha dakordësinë e tij me projektligjin duke bërë edhe sugjerimet përkatëse. Në përfundim të diskutimeve komisioni e miratoi projektligjin. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.