ZVICËR – OKB: Greqia të zgjidhë situatën e rënduar në kampet e migrantëve

Greqia duhet të transferojë menjëherë mijëra azilkërkues nga ishujt e mbingarkuar drejt territorit të saj, pasi shifrat e mbërritjes së migrantëve kanë qenë më të lartat në 3 vite, kërkoi sot Agjencia e Refugjatëve e OKB (UNHCR).

Situata më e tensionuar ka qenë në kampin e migrantëve Moria, në ishullin Lesbos, pasi një nënë dhe fëmija e saj humbën jetën.

“Mbajtja e njerëzve në ishuj, në këto kushte të papërshtatshme dhe të pasigurta nuk është njerëzore dhe kjo gjë duhet të marrë fund”, deklaroi zëdhënësja e UNHCR, Liz Throssell në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Në ishujt e Egjeut kanë mbërritur afro 10 300 migrantë në muajin shtator, shifra më e lartë që nga viti 2016.

“UNHCR u bën thirrje shteteve europiane të ofrojnë hapësira për zhvendosjen e migrantëve si çështje prioritare dhe të shpejtojnë transferimet për fëmijët që kanë të drejtë të bashkohen me anëtarët e familjes”, deklaroi Throssell. / /sara/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.