Shameti: Asnjë paqartësi në qëndrimin e Venecias për shkeljet kushtetuese të Metës

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti, një nga firmëtarët e nisjes së procedimit ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta, njëherësh anëtar i Komisionit Hetimor për hetimin e veprimtarisë së Presidentit gjatë anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe më pas caktimit të një date të re ka deklaruar se nuk pret asnjë surprizë pas opinionit të ardhur nga Projektraporti i Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet e rënda të Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës.

“Pres shumë pak surpriza. Nuk pres ndryshim të thelbit të opinionit paraprak të ardhur nga Komisioni i Venecias, pasi ato ishin pyetjet dhe nuk ka asnjë ambiguitet në qëndrimin e Venecias. Pres vetëm konfirmimin në seancë plenare të këtij qëndrimi”, – ka deklaruar Shameti, i ftuar në një studio televizive ditën e sotme.

Shameti ka deklaruar se opinioni i Venecias e ka thënë qartazi që Presidenti është në shkelje të Kushtetutës.

“Në krye të punës tonë ka qenë transparenca absolute në lidhje me veprimtarinë e Presidentit të Republikës, me shkeljet e kryera nga ana e tij. Ka qenë kjo arsyeja kryesore që i jemi drejtuar ne si Komision Hetimor Komisionit të Venecias për një opinion teknik shkencor. E kemi mirëpritur Projektraportin të ardhur pas shtrimit të pyetjeve kryesore. Ajo që është më e rëndësishmja, është pyetja nëse ka patur, apo jo shkelje kushtetuese dhe Projekt Raporti nuk lë asnjë dyshim në lidhje me këtë shkelje. Është e qartë, e shprehur në disa paragrafë të Projektraportit që Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën”.

Ai ka shpjeguar se përse ky Komision nuk lë asnjë paqartësi në lidhje me shkeljet e kryera nga Presidenti.

“Ajo që del e qartë, pa asnjë dyshim, është që, Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë kur ka anuluar datën e zgjedhjeve, ka shkelur Kushtetutën kur ka caktuar një datë të re zgjedhjesh dhe ka shkelur Kushtetutën kur iu ka mohuar shtetasve të drejtën për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur, pasi kjo e fundit është dhe e drejtë themelore e njeriut dhe me aktet e anulimit dhe caktimit të një date tjetër kurrsesi nuk mund të flitet për të drejta themelore të njeriut. Ky është thelbi i opinionit të Venecias,” shprehet ai.

“Nga ana tjetër, – nënvizon Shameti, – opinioni i Komisionit të Venecias shprehet se i takon Komisionit Hetimor, seancës plenare, nga njëra anë, që të çmojë rëndësinë e faktit dhe në kontekst me të gjitha provat e tjera dhe në shtratin kushtetues e ligjor, nëse kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë, apo jo dhe më pas, si shkallë e fundi është Gjykata Kushtetuese ajo që do t’i vendosë kapak dhe do të ndajë përfundimisht nëse kemi të bëjmë me shkelje të rëndë, apo jo”. /a.sh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.