Reforma në Drejtësi/ Shqipëria, shembull suksesi edhe për Moldavinë

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Shqipëria sot është shndërruar në pikë referimi për forcimin e shtetit të së drejtës edhe për vende të tjera europiane. Moldavia është shteti i cili ka zgjedhur të marrë eksperiencën e rrugëtimit të Shqipërisë për të reformuar drejtësinë. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka zhvilluar pikërisht një takim me përfaqësues të qeverisë së Moldavisë për të ndarë këtë eksperiencë të suksesshme të vendit tonë.

“Kënaqësi të shoh që reforma jonë në Drejtësi është shndërruar në model suksesi, duke u marrë si shembull pozitiv nga shumë vende të tjera. Falë edhe mbështetjes se Ambasadës së SHBA-ve dhe OPDAT, pata kënaqësinë të mirëprisja në Ministrinë e Drejtësisë një delegacion të lartë nga Moldavia, të cilët, në kuadër të reformimit të drejtësisë në vendin e tyre, kanë zgjedhur të ndjekin rrugëtimin tonë për të rindërtuar sistemin”, – shprehet Gjonaj në përfundim të këtij takimi.

Reforma në Drejtësi për Shqipërinë ka shënuar një pikë të madhe kthese në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

“Më vjen mirë, që Shqipëria sot është shndërruar në pikë referimi për forcimin e shtetit të së drejtës, ku rezultatet pozitive kanë justifikuar plotësisht betejat tona për ideimin, hartimin dhe miratimin e saj duke i ofruar qytetarëve tanë një shpresë të re. Teksa bisedoja me secilin nga anëtarët e delegacionit moldav për të kuptuar më drejtpërdrejt gjendjen aktuale të tyre, kuptohej më qartë kontrasti i madh që ka shkaktuar ky proces, i cili do të shënojë kthesën e duhur në luftën tonë të pandalshme kundër pandëshkueshmërisë dhe fenomenit të korrupsionit nëpër dekada”, – theksoi Gjonaj, duke nënvizuar se puna vazhdon për drejtësinë që duam. /a.sh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.