Pakti për Universitetin/ Publikohen gjetjet nga Sondazhi Kombëtar i Studentëve, kryer për herë të parë

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ “52% e studentëve janë shprehur se institucionet ku ata studiojnë nuk i kanë plotësuar pritshmëritë e tyre, ndërsa 45% e studentëve kanë deklaruar se nuk janë zhvilluar rregullisht pyetësorë për cilësinë e mësimdhënies”.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini publikoi sot disa prej gjetjeve nga Sondazhi Kombëtar i Studentëve (SKS) të zhvilluar në periudhën prill-maj 2019.

Sondazhi u zhvillua në kuadër të “Paktit për Universitetin” dhe kishte si qëllim kryesor mbledhjen e opinionit të studentëve mbi 6 çështje kryesore si: organizimi i institucionit; burimet e institucionit; kurrikulat dhe përmbajtja; mësimdhënia dhe mësimnxënia; aktiviteti kërkimor dhe mbështetja ndaj studentëve.

Sipas njoftimit nga ministrja Shahini, janë mbi 89 mijë pyetësorë të dërguar ndaj studentëve, ku vërehet se niveli i plotësimit të tyre në nivel kombëtar është 31,2%.

Këto janë disa prej gjetjeve në fjalë, ndërsa ministrja Shahini shprehet në postimin e saj se nesër do të publikohen të dhëna të tjera më të detajuara nga Sondazhi Kombëtar i Studentëve./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.