FOTO/ “Muzeu Lëvizës” udhëtoi pranë nxënësve në Petrelë për t’i njohur me objekte të trashëgimisë kulturore

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ – “Muzeu Lëvizës” sot udhëtoi pranë nxënësve në Petrelë. Një autobus i zakonshëm u kthye në një ekspozitë ku nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Haki Shehu” u njohën me historikun e disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore.

Ekspozita e “Muzeut Lëvizës” përmbante riprodhime nga koleksionet muzeore të ruajtura në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike. Midis tyre nxënësit mundën të gjejnë vazo nga antikiteti, vegla muzikore, kostume popullore etj.

Drejtori i shkollës, Endri Hamzai, e përshëndeti këtë nismë duke thënë se kjo ishte një mundësi e mirë për nxënësit që banojnë larg qendrës së kryeqytetit për t’u njohur me objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore.

Nxënësit vizituan ekspozitën e improvizuar brenda autobusit dhe u shprehën se kjo mënyrë organizimi ishte ora mësimore që ata do të parapëlqenin.

Ky aktivitet synon përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave kulturore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës kulturore në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Nёpёrmjet këtij projekti synohet që, koleksioni tё bёhet i njohur pёr njё publik mё tё gjerё, pёr tё bёrë njё lidhje mё domethёnёse me objektin, nё tё njёjtёn kohё duke kontribuar nё forcimin e identitetit tё muzeut, duke përfshirë bashkëpunimin me qytetarët, komunitetin e shoqërinë në ndërgjegjësimin e të rinjve për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. 

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.