Fier, drejt përfundimit ndërtimi i peneleve mbrojtës nga përmbytjet në fshatrat Ferras e Qarr

TIRANË, 1 tetor/ATSH/- Punimet për ndërtimin e peneleve mbrojtës nga përmbytjet pranë fshatrave Ferras e Qarr, në Fier janë drejt përfundimit.

Kjo është një nga ndërhyrjet më të rëndësishme për të mbrojtur nga përmbytjet dhe gërryerja tokat e këtyre dy fshatrave.

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “drejt përfundimit një tjetër investim në infrastrukturën për mbrojtjen nga përmbytjet, falë një bashkëpunimi shembullor mes qeverisë e bashkisë së Fierit”.

“Tokat e bukës në një sërë fshatra që dallohen për punën e zellshme prodhuese, nuk do të rrezikohen më nga gërryerja e shtratit dhe vërshimi i ujërave të Vjosës, falë 6 paneleve mbrojtëse të munguara me dekada”, – nënvizon Rama.

Sipas tij, punimet janë realizuar deri më tani në masën 90%.

“Gjithçka do të jetë gati para sezonit të dimrit”, – shprehet Rama. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.