“Ëndrra Europiane” bën pjesë dhjetëra gjimnazistë shqiptarë

TIRANË, 1 tetor /ATSH – I. Vata/ Në prag të pritjes së vendimit për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias sollën projektin “Ëndrra ime Europiane” duke përfshirë kështu dhjetëra gjimnazistë në këtë projekt.

Drejtoresha e IDMC, dr. Jonila Godole u shpreh se duke marrë parasysh që në kurrikulën mësimore informacioni i ofruar në lidhje me Bashkimin Europian (BE) fokusohet te ana historike e krijimit të BE si komunitet dhe e zhvillimit ekonomiko-politik, më tepër se sa te vetë vlerat demokratike dhe qytetare të BE, përmes këtij projekti synohet që fokusi të vendoset pikërisht te këto vlera, të cilat gjenden pak apo ende mungojnë në Shqipëri.

Në kuadër të kësaj, IDMC organizoi një workshop për vlerat e Bashkimit Europian.

“Në këtë workshop të rinjtë u njohën nga Matilda Karçanaj me vlerat në të cilat besuan pionierët e BE-së dhe mbi të cilat funksionon  BE sot (si respekti për dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut, liria, demokracia e konsoliduar, barazia dhe sundimi i ligjit); kriteret e Kopenhagenit; situatën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE, si dhe politikën e zgjerimit nga ana e BE-së”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, bëhet e ditur se “Ky workshop u pasua me trajnimin “Roli i Medias në promovimin e vlerave të Bashkimit Europian”, ku të rinjtë patën mundësinë të trajnoheshin nga ekspertë të fushës si prof. asoc. dr. Bashkim Gjergji, profesor më përvojë i lëndëve “Hyrje në Mass Media”, “Etika e Medias” dhe “Redaktimi”. Të rinjtë reflektuan për aspekte që i shqetësojnë dhe që ndjejnë se ato i largojnë nga pjesa tjetër e Europës”.

Po ashtu në deklaratë thuhet se “Këtë reflektim ata do ta sjellin përmes punimeve kreative multimediale në funksion të promovimit të vlerave europiane duke nxitur ndërgjegjësimin edhe te pjesa tjetër e rinisë apo shoqërisë që do t’i shoh produktet e tyre multimediale. Përmes videove që do të shpërndahen në Youtube dhe në rrjetet sociale të IDMC, si dhe përmes prezantimit të tyre final në një ceremoni të veçantë të hapur për publikun, ku të ftuar do jenë të rinj (gjimnazistë dhe studentë), përfaqësues të shoqërisë civile, mediave dhe institutioneve të tjera, synohet ndërgjegjësim më i madh i rinisë mbi vlerat themelore të kulturës europiane”.

Vlera e shtuar e këtij projekti është kontributi në mundësitë e bashkëpunimit që i jep shkollës si qendër komunitare të kryejë funksionin e saj, në rastin konkret gjimanazi “Sami Frashëri”, Tiranë.

Ky projekt zbatohet në kuadër të projektit rajonal Media për Qytetarët – Qytetarët për Median / Zhvillimi i aftësive të OJF-ve për të përmirësuar Edukimin mbi Median dhe Informacionin në Ballkanin perëndimor, i financuar nga Komisioni Europian.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.