VIDEO/ “Migjeni” i Air Albania nis fluturimet drejt Italisë, Balluku: Çmime “low cost”, shërbim ekselent

TIRANE, 30 shtator/ATSH/- Pas “Lasgushit”, sot ka nisur fluturimin edhe “Migjeni”, avioni më i ri i flotës së Air Albania. Migjeni do të mbulojë fluturimet drejt Italisë me destinacione Romën, Milanon dhe Bolonjën. Në fluturimin e kthimit nga Roma për në Rinas, ‘Migjeni’ është pritur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“’Migjeni’ është një prodhim i vitit 2016, një Boeing 737 dhe siç kemi premtuar para një viti që flota e Air Albania do të jetë një flotë model për të gjithë kompanitë shqiptare që operojnë në fushën e aviacionit civil, ne po mbajmë premtimin tonë. Brenda këtij viti, jo më vonë se dhjetori, në Tiranë do ulet “Naimi”, avioni i tretë i flotës së Air Albania i cili do të aksesojë kryeqytetet më të rëndësishëm e ato që kanë më kërkesë në tregun shqiptar si Brukseli, Athina, Londra e të tjera”, – tha Balluku gjatë uljes së “Migjenit” në tokën shqiptare.

Air Albania do të ofrojë çmime të lira për udhëtarët e saj, por duke ofruar cilësinë e një kompanie ekselente.

“Dua të theksoj që ky avion i ardhur sot në Shqipëri është absolutisht një vazhdim i  projektit tonë të madh për aviacionin shqiptar. Ai që përmban jo vetëm krijimin e kësaj kompanie, por dhe ndërtimin e rrjeteve të aeroportit duke filluar nga Kukësi, Tirana, Vlora dhe Saranda shumë shpejt”, – u shpreh Balluku.

Ndërkohë sipas ministres, “aviacioni civil është një nga strategjitë më të rëndësishëm për transportin e qeverisë Rama dhe ne jemi të fokusuar për të përmbushur të gjitha kushtet që një shtet europian si Shqipëria duhet të përmbushë”, – përfundoi Balluku. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.