Puka, nga një vrimë e zezë, në një shëmbëlltyrë spektakolare të Rilindjes Urbane

TIRANË, 30 shtator/ATSH/- Peizazhi alpin, ajri i pastër, qetësia e liqenit si dhe mundësia për të eksploruar kodrat në qytetin verior të Pukës përbëjnë një ofertë turistike të veçantë për turistët vendas dhe të huaj.

Rikthyer në vëmendjen dhe transformimin që meriton ky qytet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit përmes investimeve të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës qyteza alpine mbart në vete të gjitha opsionet turistike

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ndryshimi rrënjësor që i është bërë qytetit të Pukës.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të transformimit të Pukës nga një vrimë e zezë, ku s’kishte çati që s’fuste brenda çfarë binte jashtë, në një shëmbëlltyrë spektakolare të Rilindjes Urbane, ku ka nisur të zhvillohet turizmi malor, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama.

Puka ka pësuar një ndryshim rrënjësor gjatë një ndërhyrje në dy faza për rivitalizimin urban, rehabilitim i dy shesheve kryesore, pastrim, sistemim dhe rigjenerimin e liqenit të vogël, shëtitore lidhëse mes shesheve para bashkisë dhe ish-hotel turizmit, rikonstruksion i fasadave dhe çative të ndërtesave të vijës së parë.

Pjesë e transformimit ka qenë edhe godina e bashkisë tërësisht e rehabilituar, rikonstruksion i rrugëve hyrëse dhe rrugëve lidhëse me spitalin. Ndërsa vlen të përmendet pajisja me sistem ndriçimi në të gjithë zonën në fokus të ndërhyrjes, si dhe mobilimi urban i hapësirave rreth shesheve, shëtitores dhe liqenit.

Puka e ndodhur në qendër të Shqipërisë veriore ofron një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë. Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë për shëtitje, ski, alpinizëm. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.