Drafti i ministrave të Unionit, Bloomberg: BE do të hapë negociatat me Shqipërinë

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ “Ministrat e BE-së, në takimin në Luksemburg më 15 tetor do të vendosin të hapin negociatat për anëtarësim me qeveritë e Tiranës dhe Shkupit”, thuhet në draftkomunikatën e cituar nga agjencia amerikane e lajmeve, Bloomberg.

Drafti i mëparshëm nuk e përmbante vendimin për të filluar bisedimet e anëtarësimit.

Lajmin e konfirmojnë burime të medies amerikane Bloomberg, të cilët kanë parë projektkomunikatën që ministrat europianë do të konsultojnë më 15 tetor.

Bashkimi Europian, sipas Bloomberg, mund të autorizojë fillimin e negociatave zyrtare të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 15 tetor i bindur se perspektiva e anëtarësimit në Union do të ndihmonte në përafrimin e mëtejshëm të rajonit të trazuar të Ballkanit drejt Perëndimit.

Një shtytje e ngjashme për të hapur negociatat e anëtarësimit dështoi në qershor, pasi vende si Franca, Holanda, Gjermania dhe Danimarka refuzuan. BE është e lodhur nga dështimi i disa kombeve të Europës Lindore që iu bashkuan bllokut në vitin 2004 për shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

Kështu që, BE është e kujdesshme të pranojnë anëtarët e rinj në klubin më të madh tregtar në botë, ku njerëzit, mallrat dhe shërbimet mund të lëvizin lirshëm. /gj.mima//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.